“Kjo është Foltorja e jetës sime”,Berisha në Mirditë: Rama zhbëri kombin në 10 vite

Kreu i PD-së Sali Berisha vijoi sot me foltoren e radhës, kësaj here me demokratët e Mirditës.

Në fjalën e tij kryedemokrati sulmoi kryeministrin Rama si një armik të egër të mirditorëve dhe shqiptarëve.

Rama për Berishën ka zhbërë kombin në 10 vite, duke shpopulluar krejt vendin.

Berisha: Përulem para jush, mençurisë suaj, dinjitetit tuaj. Jeni shembull i njeriut për t’u ndarë nga e keqja, për të mbrojtur vlerat në kushte jashtëzakonisht të vështira të një diskriminimi ekstrem të një propagande mashtruese që barazohet me ato të viteve të zeza të regjimit komunist.

Drita e së vërtetës ju priu ju për të ndëshkuar këtë të keqe të madhe që ka pushtuar vendin. Votuat në zgjedhje lokale dhe përgjithshme kandidatët e opozitës shqiptare. Zgjodha Mirditën për të çelur siparin me foltoren e dytë që them këtu se është foltorja e jetës sime. Është foltorja e jetës sime, foltorja për demokracinë, për familjen për Shqipërinë. Nqs me foltoren e parë, ne së bashku shpëtuam PD. Po bëhej gjithçka që Shqipëria të ishte pa opozitë. Ose më saktë me kallp opozitë. Po bëhej gjithçka që opozita të ishte stoli e një armiku të egër të kombit shqiptar. Të një armiku të egër të familjes shqiptare, të qenies shqiptare, i cili quhet Edi Rama.

Po miq, po miq. Në histori nuk ka një pushtues mizor, një diktator, regjim që të ketë zhbërë shqiptarët, kombin në 10 vite sa Edi Rama. Mbyllni sytë dhe kujtoni fshatrat e Mirditës, ku janë njerëzit, nxënësit, ku janë fëmijët. Si kjo është e gjithë Shqipëria. Në 10 vite jemi zhbërë sa kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne kemi atë shtesë popullate që kishim kur ishim 700 mijë vetë. Sot Mirdita ka lindshmërinë më të ulët prej emigracionit. Çdo vit me këtë ritëm ne pakësohemi për të mbetur, ne ecim drejt shfarosjes së plotë nga ky regjim.


Shtuar 4.12.2025 18:46