Një i ri shqiptar në Itali, Elton Zefi, 32-vjeç, nuk hezitoi as për një sekondë kur pa një makinë të zhytet në ujërat e kanalit Battaglia në Padova.
Ai u hodh menjëherë në ujë dhe arriti t’i shpëtojë jetën një biznesmeni 85-vjeçar, i cili rrezikonte të mbytej brenda automjetit të tij.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur padovan dhe themelues i një kompanie të specializuar në restaurime arkitektonike, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta.
Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.
Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë.
Ata tentuan fillimisht të thyenin xhamat e makinës, por pa sukses.
Zefi tregoi më pas se kishte arritur të dallonte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami kishte mbetur i hapur.
Aty ai kuptoi se kishte shpresë. Pas disa përpjekjesh, i lodhur, me këmbët e mpira nga të ftohtit dhe duke rrezikuar të mbytej edhe vetë, ai vendosi të bëjë dhe një përpjekje të fundit.
Dhe ajo përpjekje u shpërblye. 85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg. Pak çaste më vonë, mbërritën edhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa gjithë momenti u regjistrua në një video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale.
Burri i moshuar u transportua në spital, ku mori kujdes mjekësor dhe është tashmë jashtë rrezikut për jetën. Mjeti u nxor nga kanali nga zjarrfikësit.
Ndërkohë, Eltoni është përshëndetur në Veneto si një hero i vërtetë. Ai, megjithatë, e mori gjithë vëmendjen me modesti.
“Jam i lumtur që mbaruam me sukses. Gëzimi që ndjeva kur e nxorëm atë burrë nga makina ishte i paçmueshëm”, u shpreh ai. Zefi shtoi se në ato momente nuk pati frikë. “Kur sheh një njeri duke vdekur, ndoshta është Zoti që të jep forcën”.
