Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, priti sot në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, znj. Marta Kos, mbi ecurinë e integrimit europian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës.
“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo.
Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar.
“Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve “për Shqipërinë dielli lind nga perëndon”. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai.
Në takim mori pjesë edhe Nënkryetari i Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani. Z. Gjekmarkaj theksoi mbështetjen e opozitës për integrimin në BE, duke insistuar në rëndësinë e standardeve demokratike.
Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet europiane.
