Rama me Melonin: Jemi gati të bëjmë marrëveshje me BE-në për të mos përdorur as votën dhe as veton, mund të përfaqësohemi edhe nga ‘komisari’ italian!

Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë konferencës së përbashkët me homologen italiane Giorgia Meloni se Shqipëria është e gatshme të nënshkruajë me BE-në anëtarësimin pa të drejtë vetoje dhe vote dhe që kjo të ndodhte gjatë presidencës së Italisë në Union.

Ai tha se ishte i sigurt se kjo mund të ndodhte gjatë kohës që Meloni do ishte ende kryeministre dhe që Shqipëria të jetë nën kujdestarinë e “komisarit” italian. Madje ai e cilësoi edhe si “qershi mbi tortë” nëse kjo do të ndodhte, pasi dy vendet janë në një të vetëm, për shkak edhe të lidhjeve të vjetra historike.

“Do të ishte qershia mbi tortë, që kur Italia do të marrë kryesimin më 2028, dhe Giorgia do mbajë rolin e dyfishtë të kryeministres italiane dhe të Këshillit Evropian, po qeshni qeshni, por do ta shihni, koha do tregojë se unë gjithmonë kam të drejta. Gaboja kur isha ministër i Kulturës, por tani si kryeministër nuk gaboj. Nëse kur do nisim negociatat do jetë në dorë të Giorgias, do jemi të lumtur pasi do jetë një derë e hapur për atë që prisnim prej qindra vitesh”, tha kryeministri.

Më tej ai doli tek tema kryesore e negociatave për anëtarësimin në BE dhe tezën që ka hedhur më herët, që Shqipëria të anëtarësohet pa të drejtë vote dhe vetoje.

“E kam thënë këtë ehe herë të tjera, ne jemi gati të bëjmë marrëveshje me Bashkimin Evropian për të mos përdorur as veton dhe as votën, nuk na intereson. Ne jemi fanatik evropianë dhe kjo do të thotë se nuk kemi nevojë që të vendosim veton, por jemi gati të nënshkruajmë që mund të përfaqësohemi nga komisari italian evropian dhe do të ishte shumë për ne që të kishim dy komisarë për të njëjtin vend, pasi ne jemi i njëjti vend. Ju falënderoj dhe ju jam shumë falënderues dhe i nderuar për të gjitha sa po bëjmë së bashku dhe për mikëpritjen tuaj”, u shpreh kryeministri.


Shtuar 13.11.2025 16:07

Tags: ,