Sherri në Këshillin Bashkiak në Pogradec, policia arreston Kevi Muçllarin

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga 27-vjeçarin Kevi Muçllari, i cili u përfshir në sherr ditën e sotme me këshilltarin e bashkisë së Pogradecit, Engjëll Shyti. Blutë njoftojnë se Muçllari është vënë në pranga për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Sherri ndodhi gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ku ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj 47-vjeçarit Engjëll Shyti, duke e goditur me grusht. Sipas bluve, i riu fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin K. M., 27 vjeç, banues në Pogradec.

Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Shtuar 10.11.2025 20:20