Zihej me Festimin për një vajzë/ Vrasja e Elvis Dedajt, dëshmon në GJKKO shoku i viktimës: Qoli kishte frikë se mos e ekzekutonin, e njoh Nuredin Dumanin…

Këtë të enjte, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”.

Gjatë seancës dëshmoi Agim Gjini, për vrasjen e Elvis Dedjas. Gjini ka qenë i dënuar më herët në kuadër të hetimeve për këtë çështje.

Ai tregoi se ka punuar në një karburant në pronësi të Festim Qolit dhe Elvis Dedjas (Loshi), dy persona të lidhur me njëri-tjetrin përmes biznesit dhe miqësive të vjetra.

“Marrëdhëniet mes Elvisit dhe Festimit ishin të mira, por patën një konflikt për një vajzë. Pas vrasjes së Elvisit, Festimi ishte në Durrës. Kishte frikë se mos e vrisnin edhe atë”, tha Gjini gjatë dëshmisë së tij.

Ai shtoi se Nuredin Dumanin e njeh personalisht, pasi është kushëri nga nëna, dhe se ai “vinte shpesh te karburanti, si djalë lagjeje”.

Pjese nga Deshmia

Jam i dënuar. Kam punuar në një karburant ku më kishte punësuar Festim Qoli. E njihja që nga shkolla 8-vjeçare. Kishim mik të përbashkët Elvis Dedjan, të cilin e thërrisnim “Loshi”. Elvisi dhe Festimi ishin ortakë në karburant, ndërsa Kujtim Hasa ishte menaxher.

Marrëdhëniet mes Elvisit dhe Festimit kanë qenë të mira, por kishin pasur një konflikt për një vajzë. Elvisi merrej me lloj-lloj punësh, përfshirë dhe me drogë.

Për vrasjen e Elvisit, unë isha në karburant kur ndodhi ngjarja. Më pas erdhi policia dhe më arrestoi edhe mua. Pas vrasjes së Elvisit, Festimi ka qenë në Durrës, e di këtë sepse punoja dhe isha në dijeni. Disa ditë pas ngjarjes jam takuar me të.

Fatmira Habilin e kam njohur, na ka bërë yzmet. Ajo ishte pronare, por nuk vinte shpesh në karburant. Pas vrasjes së djalit, e kam takuar. Marrëdhëniet e saj me Festimin kanë qenë të mira; ajo vinte dhe rrinte me ne. Festimi nuk më ka treguar asgjë lidhur me ndonjë konflikt. Elvisi kishte një makinë BMW.

Me Elvisit takohem çdo ditë, ashtu edhe me Festimin. Unë isha si menaxher i karburantit. Karburanti kishte dy pronarë dhe marrëdhëniet mes tyre ishin të mira. Nuk kishte mosmarrëveshje, përveç çështjes së fejuarës së Elvisit.

Na shoqëruan në polici, na morën shenjat e gishtave dhe më pas na lanë të lirë. Më vonë jam takuar sërish me Festimin, por nuk mbaj mend saktësisht se cilën ditë. Ai kishte frikë se mos e vrisnin edhe atë ose mua. Edhe Festimin e kanë shoqëruar në polici. Eduard Serjanin nuk e njoh. Nuk di nëse Festim Qoli ka qenë në Kosovë para vrasjes së Elvisit.

Për vrasjen e Fatmirës nuk kam biseduar me askënd; thjesht më ka ardhur keq. Ditën e vrasjes së Elvisit e kam parë Festimin, por nuk e di nëse ka qenë me dikë tjetër. Henrik Hoxhajn nuk e njoh, mund ta them vetëm nëse ma tregoni me foto. Ditën e ngjarjes nuk e kam parë.

Elvis Dedjan e njoh prej rreth 20 vitesh. Nuredin Dumanin e njoh, sepse mamaja ime është tezja e tij. Nuredini vinte shpesh te karburanti, ishte djalë lagjeje dhe kishte marrëdhënie miqësore me Festimin. Festimi ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e Fatmirës.


Shtuar 6.11.2025 13:12