Shfaqet gripi i shpendëve në Fier, asgjësohen 120 krerë të prekura

Gripi i shpendëve është shfaqur në Fier, në fshatin Adë të njësisë administrative Frakull. Deri më tani janë asgjësuar 120 krerë të prekura me grip shpendësh, prej të cilave 70 pula fushe, 14 zogj deti, 16 rosa dhe 20 pata. 30 të tjera kishin ngordhur më parë.

Këto të dhëna i ka bërë të dituar Andon Çuko, përgjegjes i epidemiologjisë veterinare pranë agjencisë rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve në Fier.

Çuko tha se është miratuar një varrezë për groposjen e shpendëve, larg qendrave të banuara. Gropa është 2 metra e thellë dhe nuk përshkohet nga ujërat nëntokësore.

Deri më tani, sipas Çukut, janë marrë 82 kampione gjaku në shpendët e familjes dhe fermat që mbarështrojnë shpendë. Gjithashtu janë kryer kontrolle edhe nëpër pulari.

Deri më tani gripi nuk është shfaqur te njerëzit./albeu.com


Shtuar 7.07.2021 11:26