Balluku nën hetim nga SPAK, Balla: Ne socialistët nuk ndërhyjmë në çështjet e Drejtësisë dhe as ta kontrollojmë!

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se PS as nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë pa u dhënë verdikti final dhe as tenton që ta kontrollojë atë, pavarësisht personave që hetohen, sikurse janë zhvillimet më të fundit, ku SPAK po heton zv/kryeministren Belinda Balluku, për çështjet e aferave me tendera dhe shpërdorimit të detyrës.

Deputeti socialist vlerësoi rezultatet e drejtësisë pas reformës së kryer dhe veçanërisht ato të Prokurorisë së Posaçme, që e cilësoi si “më të suksesshmen”.

“Shqipëria jonë ka bërë hapa pozitivë përpara. Mua nuk më pëlqejnë fenomenet statistikore, por po t’i krahasojmë vitet 2023 dhe 2024, duke e llogaritur me vitin tuaj të fundit të qeverisjes, 2012, ka rënë numri i vrasjeve me 4 herë. Por as unë, as ne, as kryeministri, nuk jemi të kënaqur, se duam që të intensifikohen këto rezultate. Dhe për këtë duhet falënderuar edhe Policia e Shtetit, se fal saj janë këto rezultate. A ka nga ata që edhe dekonspirojnë operacionet? Sigurisht që edhe ka dhe duhen ndëshkuar. Por duhet thënë se ra edhe miti i mosekstradimeve nga disa vende, si Dubai. E më 2025 Shqipëria ka ekstraduar nga Dibai më shumë sesa çdo vend tjetër i Evropës. Edhe pse numri i personave për ekstradim është më i lartë se i vendeve të tjera”, tha deputeti.

Ai “thumboi” edhe kolegët opozitarë, në lidhje me akuzat që hodhën ndja Prokurorisë për mbrojtje të njerëzve të pushtetit, mes tyre edhe për rastin e ministres Belinda Balluku, që po i shmanget shkuarjes në SPAK.

Ai tha se Partia Socialiste nuk komenton dhe nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë në proces, edhe pse në disa raste nuk u duket e drejtë.

“Njëri këtu priste fletë arresti e bënte thirrje prokuroria, a thua se ishte drejta e tij kjo. Por dua të them se Prokuroria e Posaçme është pjesë më e suksesshme e reformës në drejtësi. Ne socialistët nuk ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë, për më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë fjalën e vetë ende. Unë jam kallëzues në prokurori i një anëtari të ekipit tuaj dhe nuk kam folur kurrë dhe nuk do flas derisa të shprehen instancat e drejtësisë. Sepse nuk jemi këtu në këtë foltore, asnjë prej nesh, të bëjë avokatin e ndonjërit, edhe pse nuk na duket e drejtë, sikurse edhe ka ndodhur”, nënvizoi ligjvënësi.

Nga foltorja, Balla kujtoi për opozitarët se më 2016 e votuan reformën në drejtësi me vullnetin e tyre dhe jo me forcë. Ai theksoi se nuk kanë pasur asnjëherë qëllim kontrollin e drejtësisë si mazhorancë.

“Nuk ka pasur e nuk do ketë si puna juaj, se në korrik 2016 ju kanë sjellë me zor për të votuar në Kuvend, se e dhatë votën me zor, ne nuk e kemi thënë asnjëherë. Ne nuk kemi ndërhyrë për të caktuar prokurorë të përgjithshëm apo kryetar gjykate. Ne kemi qenë larg çdo lloj forme kontrolli apo ndërhyrjeje të saj. Ia kemi lënë vetë drejtësisë dhe strukturave të saj, të zgjidhura jashtë vullnetit të partive politike”, tha ai.

Por Balla bëri edhe disa kritika ndaj drejtësisë në çështje të caktuara, si aksioni për lirimin e hapësirave publike, masat e sigurisë, prezumimi i pafajësisë. Ai përfundoi duke thënë se pavarësia e drejtësisë dhe reforma nuk kanë më kthim pas. Kurse ndryshimet ligjore, duke iu referuar Kodit të ri penal, nuk do ndodhnin asnjëherë pa dritën jeshile të BE-së.

“Kushdo prokuror dhe gjyqtar që nuk lejon lirimin e hapësirave publike dhe të zbatojë ligjin, nuk i shërben aspak ligjit dhe interesit publik. Ka disa çështje kushtetuese që prevalojnë, si prezumimi i pafajësisë, masat e sigurisë, rrjedhja e të dhënave me të cilat furnizohet çdo lloj banaku, duhet të zgjidhet. Rruga e pavarësisë së drejtësisë nuk ka më kthim pas, asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, nuk ka për të ndodhur asnjëherë vetëm me votat tona. Por do marrë në çdo rast dritën jeshile nga BE, edhe pse ne votat i kemi për ta kaluar”, përfundoi deputeti socialist.


Shtuar 27.10.2025 17:03

Tags: ,