I hodhën në erë “Range Rover”, reagon administratori i Njësisë Administrative Fushë-Krujë

Kryetari i njësisë administrative të Fushë-Krujës, Ilir Loci, “Range Rover”, i të cilit u hodh në erë pas një shpërthimi me lëndë plasëse, ka reaguar duke u shprehur se nuk ka qenë ai objektiv i sulmit.

Ai ka deklaruar se po darkonte në momentin kur ndodhi shpërthimi dhe se lënda plasëse ishte vendosur në parkimin e restorantit.

“Në respekt të interesimit tuaj dua të ju informoj se lënda plasëse është hedhur ne parkingun e restorantit ku un po darkoja dhe është dëmtuar makina ime dhe një makine tjetër. Kjo është e dokumentuar me kamera, me foto nga policia në vendngjarje”, thuhet në reagimin e Locit.

Makina tip “Range Rover” me targë KR 8778A, ishte e parkuar kur ndodhi shpërthimi.

Sipas informacioneve paraprake, eksplozivi dyshohet të jetë hedhur nga një rrugicë pranë restorantit, duke shkaktuar dëme të mëdha në pjesën e përparme të makinës.

Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është dëgjuar në gjithë zonën përreth, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.