Zbulohet ish-zyrtari demokrat që do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës

Ish-zyrtari demokrat, Fatbardh Kadilli është shprehur i gatshëm të kandidonte për Bashkinë Tiranë, nëse do të merrte një ofertë nga kampi opozitar, të cilët kohët e fundit janë në negociata për të zgjedhur emrin që do të rivalizojë Ogerta Manastirliu.

Gjatë intervistës në “A2 CNN”, Kadilli tha se opozitës i duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri.

“Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do heqim dorë nga strategjitë dhe makinacionet për të fshehur të vërtetën dhe për të kontribuar të gjithë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë. Por nuk është fjala për mua. Është fjala për të gjetur një projekt politik përbashkues. Dhe këtu kam parasysh njerëz që kanë vullnetin të kuptojnë. Ne kemi një PD në degradim në opozitë, kemi disa parti që më saktë janë kryetarë pa parti, kemi edhe një lëvizje radikale majtas, puritane në dukje, që ka ardhur në ngjitje. Dhe sfida e tyre është strategji efektive për ta, për të marrë vota maksimalisht. Dhe ku qëndron avantazhi i tyre? Duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri”, tha mes të tjerash Kadilli.

Partia Demokratike ka nisur punën për gjetjen e një kandidati konsensual për zgjedhjet e pjesshme që pritet të zhvillohen në Bashkinë e Tiranës. Grupi negociator i mandatuar nga Sali Berisha ditën e sotme nisiun takimet me aleatët dhe më tej me partitë e tjera për të arritur në konsensus për emrin e kandidatit opozitar.

Grupi i PD i kryesuar nga Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti sot në mesdite kanë takuar kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Dukën.

Kurse ditën e diel priten takime me drejtuesit e Partisë së Lirisë dhe me forcat e tjera aleate. Ndërkohë që javën e ardhshme takime do të shtrihen edhe me figurat e reja politike, si: Agron Shehajn, Adriatik Lapajn dhe Arlind Qorin të cilët në zgjedhjet e “11 majit” morën një sasi votash të konsiderueshme nga elektorati gri.


Shtuar 27.09.2025 18:32