Në mbledhjen e sotme, Këshillit të Ministrave miratoi ndërtimin e një centrali fotovoltaik 30 megavat në Ersekë si dhe ndërtimin e një centrali fotovoltaik 8,8 megavat në fshatin Povelçë në Fier.
Investimi për dy centralet pritet të realizohet brenda 36 muajve dhe centralet do të kenë një afat operimi 49-vjeçar.
Në Ersekë, centrali fotovoltaik pritet të ndërtohet nga shoqëria “Met Invest”, ndërsa në Fier centrali do të ndërtohet nga shoqëria “IDI 2005”.
Shoqëritë kanë detyrimin të raportojnë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve, të respektojnë kushtet mjedisore dhe të dorëzojnë sigurimin e kontratës në masën 5% të investimit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.