Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Bashkiak, Dorian Teliti, tha pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale në Bashki, se vendimi i PS-së për të mos lejuar praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen ku do të votohet shkarkimi i tij, është i padrejtë dhe i jep mundësinë atij të rikthehet në detyrë me vendim gjykate dhe të përfitojë dëmshpërblim të majmë, nëse e çon çështjen në Strasburg.
“Sot Erion Veliaj do të shkarkohet, nuk do të jetë më kryetar i Bashkisë. Ne kemi muaj që protestojmë para Bashkisë, sigurisht që do ta votojmë shkarkimin e tij. Por i pandehuri Erion Veliaj ka të drejtën e tij të flasë para këshillit. Edhe ne duam t’ia përplasim në fytyrë abuzimin dhe korrupsionin që ka kryer në 10 vite, jo përmes mediave, atë që ai ka bërë në këto dhjetë vite në Bashkinë e Tiranës”, tha Teliti.
Teliti nënvizon se pas disa vitesh, mund të detyrohemi të paguajmë 400-500 mijë euro dëmshpërblim financiar, sepse nuk e dëgjuam çerek ore Veliajn, siç e ka të drejtën.
“Është e drejtë e tij kushtetuese. Socialistët duhet t’i kishin kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Burgjeve që ai të ishte i pranishëm, ose të paktën përmes videos, është e drejtë e qytetarit Erion Veliaj, tashmë ish-kryetar i Bashkisë. E kemi këtë qëndrim jo se na intereson retorika e tij e shpifur, por duam ta zhveshim nga çdo instrument që mund ta bëjë atë ta hedhë poshtë këtë vendim në të ardhmen thjesht për faktin se nuk e kemi dëgjuar. Duhet t’i mbyllim derën Erion Veliajt për të ardhur sërish në këtë godinë, por edhe që të shmangim që në të ardhmen, me vendim të Strasburut, të mos përballemi pas 2-3 vitesh, që me vendim të Strasburgut të paguajmë 400-500 mijë euro, dëmshpërblim financiar sepse nuk e dëgjuam çerek ore, siç e ka të drejtën”.