Ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim largohet nga diplomacia amerikane: Jam krenare që kam shërbyer për 29 vite

Ish ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, i ka dhënë fund zyrtarisht një karriere të gjatë e të spikatur diplomatike, pas plot 29 vitesh shërbim në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Lajmin e ka bërë vetë të ditur Kim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson mirënjohjen për mundësinë për të shërbyer vendit të saj dhe emocionet që shoqërojnë këtë përmbyllje.
“Me mirënjohje për mundësinë për të shërbyer vendin tim si diplomate, do të tërhiqem zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit javën e ardhshme. Jam krenare që kam shërbyer për 29 vite nën pesë Presidentë dhe dhjetë Sekretarë Shteti. E mbyll këtë kapitull me një zemër plot shpresë për gjeneratën tjetër të shërbyesve publikë. Zoti e bekoftë Amerikën!”-shkroi ajo në Instagram.

Yuri Kim ka përfaqësuar SHBA-të në poste kyçe dhe duke luajtur një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të vendit. Ndër postet më të rëndësishme të saj ishte edhe ai i Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.
Tërheqja e saj u shënua gjithashtu edhe në Regjistrin Zyrtar të Kongresit Amerikan, ku kongresmeni James C. Moylan nga Guam i kushtoi një fjalim të veçantë, duke vlerësuar karrierën dhe kontributin e saj në diplomaci.


Shtuar 21.09.2025 12:10