Elisa Spiropali do ta zëvendësojë në Ministrinë e Jashtme, Igli Hasani uron kolegen dhe falënderon Ramën

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka reaguar pas largimit nga posti aktual dhe zëvendësimin e tij në këtë detyrë për katër vitet e ardhshme nga Elisa Spiropali.

Në një reagim publik ai shprehet se në dy vite në krye të këtij dikasteri e ka kryer detyrën me “bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri”.
Në fund ai falënderon kryeministrin Edi Rama për besimin e këtij posti, si dhe i uron suksese Spiropalit në detyrën që do ta zëvendësojë.

“Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim”, shkruan ai.
Në kabinetin e ri qeverisës, Hasani do të drejtojë Komisionin e Jashtëm Parlamentar.


Shtuar 11.09.2025 18:17