Këngëtarja Anjeza Shahini i është bashkuar artistëve dhe përfaqësuesve të kulturës që kanë kundërshtuar dhunën shtetërore dhe mënyrën si qeveria po u përgjigjet protestave të të rinjve në kryeqytet. Në një reagim publik, ajo kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe e quajti të papranueshëm përdorimin e forcës nga policia në një shtet demokratik.
Shahini shpjegoi se reagimi i saj erdhi pasi dëgjoi kryeministrin të përdorte gjuhë kërcënuese teksa fliste kundër dhunës:
Të lidhura
None found
“Po e shkruaj këtë pasi pashë kryeministrin të pretendojë se do ta ndalë dhunën, ndërkohë që përdor gjuhë dhune dhe kërcënimi. Kjo nuk mund të pranohet. Është po aq e gabuar kur e bën Meloni dhe edhe më keq kur e bën Franca. Demokracia kërkon kosto dhe përgjegjësi; kërcënimi nuk është zgjidhje. Nuk e mohoj, pata shpresë se do të tregoje lidership, por edhe ajo shpresë u shua.”
Duke komentuar zhvillimet në terren, këngëtarja hodhi poshtë përshkrimin e protestuesve si huliganë dhe akuzoi policinë për veprime të dhunshme në lagjet e Tiranës:
“Nga të rinjtë shqiptarë nuk shoh dhunë, por revoltë dhe protestë të ligjshme në një vend që quhet demokratik. Dhunën e shoh te forcat e policisë. Nuk shoh një shtet demokratik të organizuar, por pothuajse një pasqyrë të një regjimi diktatorial. Shoh një polici që nuk arrin t’i mbrojë qytetarët dhe nuk respekton të drejtat bazë të njeriut; që vrapon nëpër rrugicat e Tiranës për të rrahur djem të rinj, përdor fjalor të ndyrë dhe ushtron dhunë ndaj grave, duke përhapur panik e terror te kalimtarët dhe bizneset.”
Shahini i kërkoi Ramës të ndalë shpenzimet për mbikëqyrjen e të rinjve dhe të marrë përgjegjësi për drejtimin e vendit, duke e vënë përballë alternativës së largimit:
“Shoh një kryeministër që përpiqet të joshë me karizmën e tij të vjetruar dhe që, nga kokëfortësia, duhet të këshillohet të veprojë me përgjegjësi. Të mos shpenzojë para për teknologji që të kapë kalamaj me kapuç, por t’i përdorë për zhvillimin e ekonomisë, sepse varfëria sjell krim; ose të largohet, më mirë si kryeministër i dështuar sesa si diktator.”
Në fund të mesazhit, artistja tha se përgjegjësia e pushtetit lidhet me mënyrën si trajtohen qytetarët dhe zërat kundërshtues:
“Lëri njerëzve që të votuan dhe të votuan sërish, të paktën një grimcë nga magjepsja që u dhe me atletet dhe kollaret shumëngjyrëshe. Nëse turma është më e vogël se numri i atyre që të votuan, kjo nuk të bën më të fuqishëm, por më të përgjegjshëm. Kur shpërfill një turmë të vogël, qoftë edhe një njeri të vetëm, ke shpërfillur të gjithë.”





