Pas kthimit nga Kroacia të sasive të mëdha me domate, të cilat dyshohet se nuk plotësonin standardet e sigurisë ushqimore, Prokuroria e Beratit ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke firmosur urdhër-arreste për tre persona të përfshirë në këtë rast.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, ç`ka çoi në ndalimin e:
Mariglen Maliq Qorri, i lindur më 06.01.1985, pronar i subjektit “Era Fruit”, i dyshuar për tre vepra penale: Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve, Mashtrimi me produktet ushqimore, Falsifikimi i dokumenteve.
Ronaldo Agim Lika, i lindur më 07.08.1998, inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Berat, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Griselda Genci Doksani, e lindur më 05.12.2000, gjithashtu inspektore pranë AKU Berat, e dyshuar për të njëjtën vepër penale: “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas autoriteteve, dy inspektorët dyshohet se kanë neglizhuar detyrimet ligjore duke lejuar kalimin e produkteve të dyshimta në treg, ndërsa pronari i kompanisë është i akuzuar për falsifikim dokumentacioni dhe mashtrim me produkte të rrezikshme për konsum njerëzor.