Një moment emocional është regjistruar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani janë parë duke u përqafuar pas golit të parë të Kosovës ndaj Suedisë.
Ky reagim i krerëve të shtetit pasqyron atmosferën elektrizuese që po mbizotëron në kryeqytet gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Në fushë, Kosova po zhvillon një nga ndeshjet më të mira të viteve të fundit. “Dardanët” kaluan në avantazh në minutën e 25-të, kur Dion Gallapeni asistoi për Elvis Rexhbecajn, i cili realizoi me vështirësi përballë portierit suedez Robin Olsen, pas dy tentimeve radhazi.
Vetëm pak minuta më vonë, vendasit realizuan edhe golin e dytë, duke dyfishuar epërsinë dhe duke vënë në vështirësi serioze përfaqësuesen nordike. Skuadra e trajnerit Franco Foda po shfaq vendosmëri dhe organizim shumë më të mirë sesa në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë e fushatës kualifikuese.