“Dyshime për hakmarrje mes Bajrave dhe Licëve!”/ Lala jep detaje për shënjestrën e atentatit në Shkodër, Erogen Brajovic

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë detaje nga masakra në Shkodër me dy të vrarë dhe dy të plagosur.

Lala tha se shënjestra e atentatit ka qenë Erogen Brajovic, vëllai i Denis Brajovic, eksponent i njohur i botës së krimit. Lala ka treguar disa nga pistat, ndër të cilat, edhe një hakmarrje e mundshme mes Bajrëve dhe Licëve.

“Shënjestra ka qenë Erogen Brajovic, vëllai i Denis Brajovic, i arrestuar në kuadër të Metamorfozës, i dyshuar si anëtar i grupit Bajri. Autori i dyshuar ka deklaruar se e kishte personale me Brajovic por nuk kishte qëllim të vritste të tjerët. Sipas hetueseve nuk qëndron, pasi Gila bashkëpunonte me grupe kriminale të fuqishme në zonë. Vepronte për llogari të grupit të Lulzim Kullës.
Bajrat dhe Licët janë në konflikte, policia ka ushtruar kontrolle të Licës, janë gjetur armë në shtëpinë e hallës së Ibrahim Licit. Ajo thotë se nuk është shtëpia e saj por me qira.

Shënjestra është Erogen Brajovic, nuk ka dhënë shpjegime, sepse është i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës. Brajovic ka qenë futbollist i Vllaznisë, ka drejtuar klubin sportive Tërbuni, ka qenë edhe këshilltar i Këshillit Bashkiak Shkodër. Vëllai i tij është i implikuar në krim të organizuar.

Autori i dyshuar, Ragip Gila ka qëndruar dy vite në burg, prokuroria ka kërkuar bug, por gjyakta e ka liruar. Ajo që mbetet e paqartë, është fakti a mundet ai ta bënte i vetëm këtë ngjarje?

Kjo ngjarje konsiderohet si hakmarrje mes dy grupeve kriminale më problematike, Bajrat, që drejtuesit kryesor janë arrestuar dhe klani ose grupi Lici. Sipas hetuesve lidhet me këtë përplasje. Por familja Lici me dhëndrin Lulzim Kullën, kishte disa kohë që nuk kishin marrëdhënie të mira.
Ajo çfarë po shihet, është edhe atentati i Kristian Kolës pak ditë më parë, për shkak të mënyrës si është kryer atentati, duket se në pamje të parë ka një ngjashmëri. Hetuesit kanë dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të përplasjes së grupeve kriminale dhe nuk është çështje personale.

Shkodra ka një tjetër tipologji, aty fillon si histori banale dhe më pas shkon në konflikte të gjakmarrjes. Kalvari mund të vijojë edhe nga personazhe që në pamje të parë nuk shfaqëin një ashpërsi. Karakteristika e Shkodrës, është që veprojnë me ashpërsi. Edhe kur ekzekutohet një personazh, dalin të tjerë. Qytetarët atje e kanë të vështirë të flasin, refuzojnë të flasin para hetuesve”, tha ndër të tjera Lala.


Shtuar 8.09.2025 21:51