Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas gjatë një konference për shtyp në Bruksel tha se takimi i Presidentit të Kinës me udhëheqësit e Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut në Pekin përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj rendit ndërkombëtar.
Duke iu referuar takimit të Presidentit Xi me udhëheqësit e Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut në Pekin, Kallas tha se ajo që po shohim është një aleancë autoritare që kërkon një proces të shpejtë drejt një rendi të ri botëror.
Sipas saj kjo është vetëm një perspektivë anti-perëndimore, por një sfidë për rendin ndërkombëtar të ndërtuar mbi rregulla. Kaja Kallas nuk la pa theksuar se Kina e ka mbështetur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke vënë në dukje se e gjithë kjo është një realitet i ri me të cilin Evropa do të duhet të përballet.
Konkretisht në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Kallas deklaroi se Rusia nuk dëshiron realisht ta përfundojë këtë luftë, duke theksuar se për Evropën kjo do të thotë më shumë mbështetje ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për Kievin. Ajo deklaroi gjithashtu se në rast të një armëpushimi, një Ukrainë e fortë ushtarakisht është garancia më e fortë e sigurisë.