Tabaku: Shqiptarët janë më të varfër, oligarkët më të pasur! Taksat e larta i paguan shumica

Deputetja e PD Jorida Tabaku, ka hedhur akuza ndaj qeverisë se e ka zhytur vendin në krizë ekonomike dhe ka ndërtuar një sistem që favorizon vetëm një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa shumica paguan çmimet e larta.

Reagimi i Tabakut erdhi pas publikimit të treguesit të besimit ekonomik për muajin gusht, që sipas saj konfirmon krizën në rritje: treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë, industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë dhe konsumatorët u treguan më pesimistë duke ulur blerjet e tyre.

Sipas saj, kriza më e madhe nuk është vetëm rënia e treguesve, por humbja e besimit tek ekonomia dhe tek e ardhmja.

Një vend ku qytetarët ndihen të pasigurt për jetën e tyre ekonomike, është një vend që nuk ka asnjë shans të ndërtojë mirëqenie. Ky është bilanci i 12 viteve të qeverisë Rama: shqiptarët më të varfër, oligarkët më të pasur”, shtoi Tabaku.

Deputetja demokrate paralajmëroi se nëse sistemi nuk ndryshon dhe nëse nuk merren masa për të mbrojtur shtresën e mesme dhe punën, vendi rrezikon të mbetet peng i një ekonomie të deformuar që shërben vetëm për pakicën në pushtet.


Shtuar 2.09.2025 15:07