Shpërthimi i bombolës së gazit në Velipojë, ISHTI tregon si ndodhi ngjarja: Ishte gabim njerëzor

Ditën e djeshme, në një hotel në Velipojë ndodhi një shpërthim bombole gazi dhe për pasojë mbetën të lënduar 4 persona (nëna dhe tre fëmijët e saj).

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial  (ISHTI) ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke thënë se, shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit në pjesen jugore të tij në një ambient të mbyllur që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët. Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3 – 5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikueshme si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës.

Bombolat nuk kanë pësuar shpërthim dhe nuk kanë dëmtime në trupin e tyre por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës.

Personeli PMNZSH Shkodër ka sqaruar se 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë nga ana e tyre. Gjithashtu në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, gjendet një rezervuar gazi me kapacitet 1000 Litra i cili është i mbyllur dhe bosh. Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.

Nisur nga kontrolli i objektit në fjalë dhe deklarimet e PMNZSH Shkodër, shpërthimi dhe zjarri dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit G L N nga një nga bombolat e kampingut e cila mund të jetë lënë e hapur gjatë natës si pasojë e një gabimi njerezor. Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.

Në prezencë të Inspektoreve të ISHTI është përgatitur nga ana PMNZSH Shkodër akti i konstatimit nga ky Institucion si dhe nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë së rrethit Shkodër është përgatitur Procesverbali i këqyrjes të vendit të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 5.07.2021 11:21