Kurti: Barazia gjinore duhet të reflektohet në politikat dhe vendimet tona

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që zyrtarët institucionalë të cilët kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt të përballen me përgjegjësi disiplinore dhe penale.

Duke folur në mbledhjen e 64-të të Këshillit të Përgjithshëm, Kurti ka deklaruar se rasti i Arlindës tregon se gratë mund të mbeten të pambrojtura edhe pasi denoncojnë dhunën dhe u drejtohen institucioneve për ndihmë.

Të lidhura

None found

“Vrasja e Arlinda Zejkajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë. Arlinda bëri atë që institucionet kërkojnë gratë ta bëjnë kur përballen me dhunë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, angazhimi do të vazhdojë deri në identifikimin dhe ndëshkimin e çdo zyrtari që nuk ka vepruar sipas detyrës.

“Me këtë rast, e ritheksoj se do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, jo vetëm disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore duhet të japë përgjegjësi dhe do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, ka deklaruar ai.

Kurti është ndalur edhe te ndikimi i mentalitetit patriarkal, i cili, sipas tij, vazhdon ta shohë gruan si pronë dhe largimin e saj nga një marrëdhënie si një kërcënim ndaj autoritetit të burrit.

“Kjo mendësi nuk ndryshon vetëm me ligje, ajo kërkon përballje të vazhdueshme në familje, në shkolla, në institucione dhe brenda vetë organizimeve e subjekteve tona politike”, ka theksuar ai.

Kreu i Qeverisë ka vënë në dukje gjithashtu rëndësinë e reformave në arsim. Ai ka thënë se mësimi për barazinë, respektin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve duhet të nisë që në moshë të hershme.

“Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e të durueshme, ndërsa djemtë që të jenë, patjetër, dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se parandalimi i femicidit kërkon ndërhyrje të koordinuara në fushën e arsimit, ekonomisë dhe politikave sociale, me synim rritjen e fuqizimit dhe pavarësisë së grave.

“Duhet të fillojmë nga mënyra se si i edukojmë fëmijët, si i ndajmë përgjegjësitë brenda familjes, si u garantojmë grave të drejtat pronësore dhe si u mundësojmë atyre pavarësi ekonomike. Barazia gjinore duhet ta luftojë pabarazinë edhe shoqërore, dhe ajo duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, në politikat që zbatojmë dhe mënyrën se si ne i mbrojmë gratë kur rrezikohet jeta, meqenëse barazia gjinore ndodhet në themelet e asaj shoqërie”, ka thënë Kurti.


Shtuar më 31.10.2026 13:50