Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia në Shkodër, pasi ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme.
Nga hetimet dyshohet se i riu i ndihmonte emigrantë që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor, duke i transportuar nga kufiri jeshil me Greqinë në drejtim të Malit të Zi, kundrejt pagesës 600 euro për person.
Njoftimi i policisë
Vijojnë operacionet nga Policia, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të dhënies ndihmë për kalim të kufijve, në mënyrë të paligjshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Itinerari”.
Ndihmonte emigrantë nga vendet e treta që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga një 28-vjeçar.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Itinerari”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor, duke i transportuar nga kufiri jeshil me Greqinë në drejtim të Malit të Zi, kundrejt pagesës 600 euro për person.
Gjatë operacionit, ky shtetas po transportonte 5 shtetas nga vendet e treta.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.