Prej dy muajsh, 25 sanitare të Spitalit Psikiatrik të Vlorës, nuk kanë marrë pagat e tyre dhe vazhdojnë të punojnë pa kontrata.
Në një protestë të zhvilluar diten e djeshme në ambientet e spitalit, punonjëset u shprehën se nuk po trajtohen sipas ligjit dhe i kërcënojnë me pushim nga puna, nëse kërkojnë të drejtat e tyre.
Punonjëset janë shprehur se regjistrimet bankare për pagat janë të pasakta, shpesh me pagë minimale, ndërsa në realitet punojnë tre turne të lodhshme.
Ato deklarojnë se për një muaj përpiqen të kontaktojnë drejtoreshën e spitalit, por pa sukses.
Kompania që ka fituar tenderin e pastrimit në spital është “Rej sh.p.k.”, në pronësi të Luan Kaprit, i afërm i ish-kryebashkiakut të Pogradecit, Eduart Kapri.
Sanitaret u shprehen se u mohohen të drejtat minimale, përfshirë pagesën për festat zyrtare dhe ditët e pushimit, dhe ndihen të pambrojtura përballë presionit të vazhdueshëm.
“Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona: kontratën e punës, deklarimin e plotë të pagës, pagesën e festave dhe ditëve të pushimit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa na takon me ligj”, thanë ato.
Ato shtuan se situata po ndikon edhe në jetën e tyre personale dhe financiare, pasi shumë prej tyre kanë kredi dhe borxhe që duhet të shlyejnë, ndërsa ushqimet i blejnë me listë.
“Na trajtojnë si kafshë, punojmë për tre persona dhe paguhen shumë pak për punën tonë. Nuk është normale”, u shprehen ato.