Protestuesit në Serbi po shprehin tendencën se protestat e tyre mund të kalojë në luftë civile, nëse qeveria nuk realizon kërkesat e tyre.
Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi i cili e vlerëson situatën politike në Beograd të ngjashme me anarkinë, ndërsa rrahjet dhe incidentet e vazhdueshme ndaj protestuesve po ndodhin me urdhrin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Akoma nuk mund të themi që Serbia është në luftë civile pasi nuk kemi protestues të armatosur, të cilët kanë armët e tyre e po ashtu kanë edhe një në thonjëza ‘regjiment sulmues’ dhe po ashtu nuk kemi edhe një qeveri e cila ka filluar të jetë në anarki të plotë në Serbi”, tha analisti Gurkuç Kuçi.
Kuçi i quan manipulime deklaratat e Vuçiçit, përmes së cilave ai akuzon Perëndimin se po ndihmojnë financiarisht protestuesit në Serbi.
“Vuçiçi sot vazhdon akoma t’i përdorë narrativat e tij, (kinse) nuk është autokrat ose diçka e tillë, për shkak se ai i shfrytëzon interesat e ndryshme që kanë të bëjnë me BE-në dhe po ashtu ka filluar që çdo herë e më shumë ta kërcënojë BE-në dhe gjithë Perëndimin. Së fundi ai e shprehu edhe një akuzë ndaj gjithë Perëndimit se Perëndimi është duke i financuar dhe ndihmuar protestuesit në Serbi… Kjo ndikon edhe në përçarje. Deklarata të tilla të vetë Vuçiçit janë më shumë manipulime”, u shpreh ai.
Për të larguar vëmendjen nga trazirat që po ndodhin në Serbi, siç thotë Kuçi, presidenti Vuçiç vepron kundrejt Kosovës apo bën veprime agresive ndaj shteteve përreth saj duke përmendur arrestimet e njëpasnjëshme kohëve të fundit të kosovarëve nga autoritetet serbe.
Përmes protestave në Serbi që filluan nga nëntori i 2024-ës, kërkohet zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe llogaridhënie lidhur me tragjedinë në Novi Sad. Përveç Beogradit ato janë shtrirë edhe ne qytetet te tjera, ndërsa javën e kaluar morën përmasa të mëdha, duke sulmuar edhe godinën e partisë së Vuçiç, çka pasojë me dhjetëra arrestime.