Tronditet Saranda/ Shpërthim me lëndë plasëse automjetit të një personi të shpallur në kërkim (EMRI)

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3 të qytetit të Sarandës, është regjistruar një shpërthim me lëndë eksplozive .

Sipas burimeve paraprake nga policia, lënda plasëse dyshohet se është vendosur në një automjet në pronësi të shtetasit Klaus Jaçaj, 31-vjeç.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet.

Shtetasi Klaus Jaçaj, rezulton person në kërkim, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me një ngjarje të ndodhur më 17 korrik 2025, ku dy persona mbetën të plagosur nga armë zjarri.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia po punon gjithashtu, për dokumentimin e ngjarjes në mënyrë të plotë ligjore.

Çfarë ndodhi më 17 korrik?

Rreth orës 15:00, në lagjen nr. 3 të qytetit nis një konflikt për motive të dobëta mes shtetasve Gëzim Hajdaraj, 33-vjeç, dhe Ernest Lama, 25-vjeç, të dy banues në Tiranë, dhe disa shtetasve të tjerë.

Gjatë konfliktit, Ramadan Zoto, 4-vjeç, banues në Sarandë, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Hajdarajt dhe Lamës, duke i plagosur rëndë të dy.

Të plagosurit Ernest Lama, 24-vjeç, dhe Gëzim Hoxhaj, 32-vjeç nga Kamza u dërguan në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Në kuadër të hetimeve, janë shpallur në kërkim katër shtetas të përfshirë në këtë ngjarje:

Ramadan Zoto, 43-vjeç, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.

Erjon Canaj, 36-vjeç;

Artan Murtaj, 43-vjeç;

Klaus Jaçaj, 31-vjeç, të tre banues në Sarandë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj njërit prej të plagosurve, Gëzim Hajdaraj, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip “Beretta”, së bashku me një krehër me 9 fishekë. Si pasojë, ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga vendngjarja janë sekuestruar si prova materiale 4 gëzhoja arme zjarri, arma tip “Beretta” dhe krehëri me fishekë.

Hetimet

Aktualisht, po hetohen dy pista kryesore lidhur me motivin e kësaj ngjarjeje.

Pista e parë ka të bëjë me një konflikt të vjetër për një plazh, ku dy familjet dyshohet se janë përballur më parë për çështje pronësie apo shfrytëzimi të hapësirave përgjatë vijës bregdetare.

Pista e dytë lidhet me një konflikt që mendohet të ketë nisur fillimisht mes dy fëmijëve të mitur, dhe më pas ka agravuar duke përfshirë të rriturit, derisa situata ka përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit.

Policia po vijon mbledhjen e dëshmive dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.


Shtuar 22.07.2025 08:13