Jamarbër Malltezi ka folur mbrëmjen e sotme 20 muajt që ka kaluar nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa akuzoi SPAK-un për hetime të motivuara politikisht.
Në intervistën për A2CNN, Malltezi e quajti arrogancë shtetërore privimin e lirisë, ndërsa një nga vendimet ku nuk i lejohej komunikimi me askënd e cilësoi çmenduri, teksa renditi dhe arsyet e lirimit të tij nga masa e arrestit shtëpiak. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se në dosjen Partizani ka pasur shumë absurditet, ku një prej tyre sipas tij ka qenë edhe moskomunikimi me avokatët.
“E para mbaruan zgjedhjet, e dyta ka 3 çështje në emrin tim në Strasburg dhe avokatura ka shkuar në arkivin e gjykatës se një nga vendimet është i çmendur, moskomunikimi me askënd përveç atyre në banesë dhe as me avokatët. E treta se po shkonte dy vite dhe afati kushtetues nuk mund të jetë më tepër se dy vite. Qeverisja e kishte problem komunikimin tim me persona të tretë. Privimi i lirisë është arrogancë shtetërore, problemi kryesor lidhet me komunikimin e përditshëm dhe nevojat e fëmijëve që nuk i përgjigjesh dot. Për gjyqtarët e Ramës të zhvillosh pronën tënde është herezi, kjo është për të qeshur e qarë. Ka pasur shumë elementë absurditeti në këtë histori dhe një që është të mos komunikosh me avokatët. Një nga avokatët i sugjeroi sime shoqeje të ankimonin masën e moskomunikimit. Ka shkuar në të gjithë gjykatat dhe e kanë lënë në fuqi, është çmenduri”, tha ai.
Një tjetër absurditet, Malltezi ka cilësuar edhe arrestimin e tij pa një letër, ku tha se kjo tregon se nuk donin hetim për të vërtetën, por ndiqnin urdhrat politikë. Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama ka 8 firma për ish-kompleksin Partizani dhe nuk është thirrur asnjëherë dëshmitar, por sipas Malltezit, ai i ka dhënë urdhër SPAK-ut për të hetuar Berishën.
“Absurditeti i të arrestuarit pa të dhënë një copë letër, momenti i parë, i dyti si nuk pyesin se unë kisha dosjen që tregon se nuk kemi hetim për të vërtetën, por ndjekje të urdhrave politikë që shkojnë në absurditet. Në këtë dosje ka 8 firma Edi Rama dhe nuk thirret dëshmitar. Ne kemi ndjekur edhe rrugën gjyqësore se Edi Rama pasi kishte dhënë vetë ndërrimin e destinacionit dhe lejet, pasi mori vesh që isha unë një nga përfituesit menjëherë refuzoi zbardhjen e lejes. E çuam në gjykatë këtë dhe pavarësisht se kishte vendim gjykate të formës së prerë çoi policinë bashkiake që nxirrte urdhra të kundraligjshëm. Këtu kemi vepër tjetër penale. Prokuroria e gjyqtarja Irena me 3 mbiemra refuzuan që të pranonin DVD në të cilën Rama i jep urdhër SPAK-ut procedoni penalisht Sali Berishës. Edhe SPAK dhe Irena refuzoi ta pranonte.”, tha Malltezi në emisionin “Debat” në A2CNN.