Babai ab*zoi me vajzën e tij, komentuesit kërkojnë dënimin maksimal, por Zhaklin Lekatari ka diçka për të thënë

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Zhaklin Lekatari, për të diskutuar më shumë mbi rastin tronditës në Fier, ku babai kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij të mitur…

Pas bërjes publike të këtij rasti në media, shumë komente në rrjete sociale shprehnin mendimin e dënimit me vdekje. Si e sheh këtë?

Zhaklin Lekatari: Kjo ka qenë gjëja më skandaloze, nga këta njerëz të ngritur që kanë qenë të parët që kanë propozuar dënimin me vdekje. Dhe ajo që mua më shqetëson, është se si këta njerëz mund të mendojnë që nëse shteti merr të drejtën e dënimit me vdekje, a nuk e bën kjo shtetin të barabartë me vrasësin?

Dhe qëllimi i shtetit demokratik dhe sekular e një republike siç është Shqipëria, nuk është hapja e burgjeve dhe dendja e burgjeve, por është rekuperimi i këtyre njerëzve, pra parandalimi. Qoftë edhe institucioni i policisë. Institucioni i policisë, si qëllim nuk ka kapjen e kriminelit mbasi ka mbaruar krimi, por është parandalimi i krimit.

Në momentin që policia parandalon krimin, atëherë quhet që ky institucion e ka kryer punën e vet me sukses. Mbasi ka ndodhur krimi dhe policia bën procedurat teknike të rastit që duhet të bëjë, unë këtë nuk e mendoj të suksesshme.

Prandaj unë nuk besoj tek dënimi me vdekje, nuk besoj që një vend demokratik që synon demokracinë si Shqipëria, synon të jetë sovrane, që synon Bashkimin Evropian, ta çojë në paradhomën e mendjes së saj dënimin me vdekje.

Më revolton jashtëzakonisht shumë kjo si mundësi, fakti që sa herë ne kemi ngjarje të tilla makabre, ne nuk mendojmë asnjëherë si ta parandalojmë këtë ngjarje, çfarë ka ndodhur, pse këta njerëz bëjnë ngjarje të tilla?


Shtuar 3.07.2025 13:11

Tags: ,