Shqipëria e fundit për pastërtinë e ujërave natyrorë

Pushimet e verës po afrojnë dhe për t’u ofruar pushuesve informacione lidhur me pastërtinë e ujërave të deteve, të liqeneve apo të lumenjve Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) kontrollon rregullisht cilësinë e ujit në vendet e Evropës.

Të dhënat e raportit të fundit të EEA-së (20.06.2025), u referohen analizave të bëra në 22,000 ujëra natyrore-bregdetare, liqenore dhe lumore – në 27 vendet e Bashkimin Evropian si dhe në Shqipëri dhe Zvicër.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ujërat bregdetare kanë përgjithësisht cilësi më të mirë se ato të lumenjve ose të liqeneve.

Cilësia më e mirë e ujërave u konstatua në Qipro, Bullgari, Greqi, Austri dhe Kroaci. Në këto pesë vende 95% ose më shumë e ujërave natyrore kanë cilësi të shkëlqyer.

Në Qipro, e cila kryeson renditjen për cilësinë e ujërave, EEA-ja i vlerësoi 97.6 përqind të ujërave si të shkëlqyera.

Kurse Austria ra këtë vit nga vendi i dytë në të katërtin me 95.8 përqind të ujërave të lumenjve dhe të liqeneve të vlerësuar me “cilësi uji të shkëlqyer”. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 96.9 përqind.

Shumica e ujërave natyrorë në Evropë, janë në një “gjendje të shkëlqyer” nga pikëpamja bakteriologjike.

Megjithatë, ndotja kimike e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore mbetet e konsiderueshme dhe mund të përkeqësohet nga ndryshimet klimatike, vuri në dukje Agjencia e Mjedisit.

Shqipëria renditet e fundit

E dobët është cilësia e ujërave edhe në Hungari, Estoni dhe Poloni. Shqipëria është në fund të listës.

Vetëm 41.2 përqind e 119 ujërave të analizuara të deteve, të liqeneve apo të lumenjve në Shqipëri morën “notë kaluese” nga EUA. 16 përqind e tyre morën vlerësimin “shkëlqyeshëm”.

Është e domosdoshme të identifikohen burimet e ndotjes në zonat e pellgut të këtyre ujërave dhe të zbatohen masa të integruara për menaxhimin e ujit për të rikthyer cilësinë e ujit në nivelin minimal të nevojshëm për t’u larë”, kërkon EEA.

Raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, kufizohet në matjen e dy parametrave që ndikojnë ndaj shëndetit të atyre që lahen.

Agjencia mat përqindjen e baktereve intestinale coli, e njohur më mirë si E. coli, dhe të enterokokëve në ujë.

Të dyja mund të shkaktojnë sëmundje infektive tek njerëzit dhe tek kafshët. Ndotësit kimikë nuk janë pjesë e monitorimit të ujërave të deteve, të liqeneve apo të lumenjve./DW


Shtuar 23.06.2025 08:52