“Sakrifikoj parajsën për dikë tjetër” ,Heidi Baci rikthehet në ekran me një rrëfim mbi librin e saj poetik “Liminal”

Ish-banorja e Big Brother VIP Albania 3, Heidi Baci, është rikthyer në ekran, këtë herë në studion e emisionit “Goca dhe Gra”, ku ndau një anë më të thellë dhe intime të vetes.

Në një bisedë të hapur me moderatoren Gerta Gixhari, Heidi foli për pasionin e saj për poezinë dhe për librin e saj të sapopublikuar, “Liminal”, një përmbledhje me poezi që reflektojnë mendimet, emocionet dhe filozofinë e saj për jetën dhe dashurinë.

E veshur me thjeshtësi por plot hijeshi, Heidi tregoi se shkrimi ka qenë gjithmonë pjesë e saj dhe një mënyrë për të përpunuar botën përreth.

“Unë shkruaj gjithmonë. Ndahen gjërat në rastin tim. Është një gjë se si unë dua ta bëj jetën. Kam këtë energjinë diellore që dua ta mbaj shumë fortë, sepse ashtu të vjen jeta kur buzëqesh.

Pastaj koncepti që ke për realitetin që ai mund të jetë pak më ndryshe”, – u shpreh Heidi me qetësinë që e karakterizon.

Gjatë bisedës, Gerta Gixhari ndaloi te një varg i veçantë nga libri: “Unë doja të shkëpusja këtë frazë: ‘Do të sakrifikoja parajsën, sepse do jepja gjithçka për të të pasur, gjithçka për të të dashur’. Është një frazë e fortë që ka domethënie dhe unë do të doja ta zbërtheje”.

Në përgjigje, Heidi tregoi frymëzimin pas këtyre vargjeve dhe mënyrën si ato lidhen me ndjeshmërinë e saj të thellë, por edhe me botëkuptimin fetar që shpesh pasqyrohet në shkrimet e saj.
“Ajo është një frazë pas poezisë Shekspiri, ku flet për një dashuri që është e destinuar të mbarojë, prandaj është Shekspiri, sepse është shumë shekspiriane, është dramë. Do të thotë që një njeri anulon veten, ose vret veten konkretisht. Poezia para atij mendimi është që ai personi vret veten, në sensin që do të ngrijë një çast përgjithmonë. Unë jam një person shumë fetar, Zoti është shpeshherë në shkrimet e mia dhe kur ti vret veten shkon kundra disa parimeve. Kështu që ti sakrifikon parajsën për dikë tjetër”, tha Heidi.

Heidi tregoi edhe një herë se përtej imazhit të saj të njohur nga ekrani, ajo mbart një botë të brendshme të pasur, ku përfshihen letërsia, reflektimi shpirtëror dhe aftësia për të prekur emocione të thella përmes fjalës së shkruar.


Shtuar 16.06.2025 12:33

Tags: ,