Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se qëllimet ushtarake të Rusisë përfshijnë marrjen nën kontroll të qytetit të Odesas dhe më pas përparimin drejt kufijve me Moldavinë dhe Rumaninë.
Gjatë fjalimit të tij në Samitin e katërt të Ukrainës – Samitin e Evropës Juglindore, të mbajtur në Odesa, Zelensky theksoi: “Ne ndodhemi sërish këtu, në qytetin tonë të bukur, Odesa. Ky qytet është në shënjestrën e Rusisë, e cila dëshiron ta rrënojë ashtu siç ka bërë me shumë qytete dhe fshatra në territoret që ka pushtuar.”
Sipas tij, planet ruse tregojnë qartë se ambicia e Moskës është të arrijë deri në kufijtë me Moldavinë dhe Rumaninë.
“Pa dyshim, ne kemi nevojë për mbrojtje të menjëhershme. Por mbi të gjitha, kemi nevojë për garanci afatgjata që diçka e tillë të mos përsëritet kurrë.”-theksoi ai.
Zelensky u bëri thirrje pjesëmarrësve të samitit që t’i trajtojnë garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës si një domosdoshmëri konkrete.
“Që nga mbrojtja ajrore deri te sulmet kibernetike – kemi nevojë për mekanizma të efektshëm për reagim të menjëhershëm dhe parandalim. Duhet të analizojmë marrëveshjet tona, ushtritë dhe infrastrukturën – dhe të forcojmë çdo element që garanton sigurinë e kombeve tona.”-përfundoi presidenti ukrainas.