Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë/ Nën hetim Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit të bashkisë dhe 4 të tjerë

Pas zjarrit të rënë një ditë më parë në fushën e mbetjeve në Vlorë, Policia ka nisur hetimet për Drejtorin e Ndërmarrjes së Pastrimit dhe 4 të tjerë, njëri prej tyre përgjegjësi i Bordit të Kullimit ndërsa tre të tjerët punonjës të këtij sektori.

Hetimet kanë nisur për F.T., 31-vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, A. S., 36-vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit pranë Bashkisë Vlorë, L. D., 56-vjeç, E. D., 27-vjeç dhe D. I., 35-vjeç, të tre me detyrë manovratorë në ndërmarrjen e Bordit të Kullimit të Bashkisë Vlorë.

Të pestë punonjësit e Bashkisë Vlorë sipas policisë, kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. T., 31-vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, A. S., 36-vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit pranë Bashkisë Vlorë, L. D., 56-vjeç, E. D., 27-vjeç dhe D. I., 35-vjeç, të tre me detyrë manovratorë në ndërmarrjen e Bordit të Kullimit të Bashkisë Vlorë, pasi më datë 07.06.2025, rreth orës 12:18, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, si pasojë e temperaturave të larta, ka rënë zjarr në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe shtetasit e sipërpërmendur kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit”, njofton policia e Vlorës.


Shtuar 8.06.2025 12:21