Plagosja në Tiranë, policia gjen pistoletën tip stilolaps të përdorur nga 21-vjeçari

Policia e Tiranës ka gjetur armën atipike të përdorur në ngjarjen e ndodhur më 1 qershor 2025 në një piceri në zonën e “Ali Demit”, ku u plagos një 15-vjeçar. Sipas njoftimit zyrtar, pistoleta e tipit stilolaps, me të cilën dyshohet se 21-vjeçari Aldo Neziri ka plagosur të miturin, është gjetur në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë dhe është sekuestruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Aldo Neziri u arrestua sot, i akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. I plagosuri, i cili punonte si kamarier në picerinë ku ndodhi ngjarja, vijon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si ndodhi ngjarja?

Konflikti nisi mes 21-vjeçarit Aldo Neziri dhe një 15-vjeçari, gjatë kohës që ky i fundit po punonte si kamarier në një piceri në zonën e “Ali Demit”. Sipas burimeve policore, pas një debati të çastit, Neziri ka nxjerrë një armë të fshehur në formën e stilolapsit dhe ka qëlluar adoleshentin në shpatull.

Pas ngjarjes, Policia arrestoi edhe tre punonjës të picerisë, të cilët dyshohet se pastruan vendin e krimit dhe hoqën pajisjen DVR të kamerave të sigurisë. Ndërkohë, vijon të jetë në kërkim administratori i picerisë.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

“Plagosi me armë atipike, për motive të dobëta, 15-vjeçarin në një piceri te ‘Ali Demi’. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, bazuar në inteligjencën policore, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. N., 21 vjeç. Dje u arrestuan edhe 3 punonjës të picerisë pasi dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Vijon puna për kapjen e administratorit të lokalit.”

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, në ngarkim të të dyshuarit për akuzat penale të mësipërme.


Shtuar 3.06.2025 22:36