Berisha: Rruga Levan-Vlorë, më e gjera në Shqipëri, kushtoi 2.4 mln euro kilometri më 2012. Rruga e Arbrit kushtoi 11 milionë euro kilometri

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi në Vlorë, ka risjellë në vëmendje çështjen e kostove të projekteve infrastrukturore si dëshmi e keqmenaxhimit dhe korrupsionit të qeverisë aktuale.

Ai theksoi se rruga Levan-Vlorë, e ndërtuar në vitin 2012 dhe më e gjera në Shqipëri me një gjerësi prej 35 metrash, kushtoi 2.4 milionë euro për kilometër pas rritjes nga 1.7 milionë për shkak të ndryshimeve në projekt për mbrojtjen e habitatit natyror.

Në kontrast, ai përmendi rrugën e Arbrit, një rrugë më e ngushtë, e cila sipas tij ka kushtuar deri në 11 milionë euro për kilometër. Berisha i përdori këto krahasime për të akuzuar qeverinë për abuzim me fondet publike dhe për të argumentuar se paratë që duhej të shkonin për mirëqenien e qytetarëve, sidomos pensionistëve, janë shpërdoruar për interesa klienteliste dhe korruptive.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

 

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetareve dhe qytetarëve të Vlorës që përcillni sot me këtë mesazh, me këtë miting, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.

Mirënjohje të pakufishme ndaj jush!

Dhe një përshëndetje për qytetarët e qarkut të Vlorës kudo që janë sonte, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme.

I dashur zoti Bujar Leskaj, udhëheqës politik i PD dhe ASHM për qarkun e Vlorës

I dashuri zoti Hysni Sharra, kryetar i PD për Vlorën.

Të dashur kandidate dhe kandidatë, përfaqësues të qytetarëve të qarkut të Vlorës, burra dhe gra të shkëlqyer, të mrekullueshëm, dinjitozë, krenari për Vlorën, për PD-në dhe për Shqipërinë.

Të dashur miq, unë vij sonte tek ju për të sjellë gjithashtu mesazhin e fitores nga mbarë Shqipëria.

E një fitoreje, e cila nuk është dhe nuk do jetë fitore e një parti, as edhe e një koalicioni, por do jetë fitore e çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi, që kërkon të jetojë me nder dhe dinjitet në Vlorë dhe Shqipëri.

Që kërkon që fëmijët e tij të ndërtojnë ëndrrën më të bukur të jetës në Vlorë dhe në Shqipëri.

Miqtë e mi, 11 Maji si rrallë ndonjëherë në histori, është një ditë që ndan historinë. Është një orë, është një ditë historike për çdo qytetar të këtij vendi.

Me 11 Maj ne zgjedhim midis krahut të drejtë të historisë, anës së drejtë të historisë apo humnerës, apo boshatisjes masive të këtij vendi.

Ne zgjedhim anën e drejtë të historisë dhe besimin absolut se Vlora dhe vlonjatet, me mençurinë e tyre epike, me 11 Maj votojnë anën e drejtë të historisë kombëtare, të historisë së tyre.

Të zgjedhësh anën e drejtë të historisë do të thotë para së gjithash të zgjedhësh dinjitetin tënd si njeri.

Të zgjedhësh lirinë dhe vlerat e saj.

Por miq, ne jemi një komb me një përvojë të gjatë. Ne e kemi provuar se varfëria është tirani.

Se varfëria nëpërkëmb dhe shkelmon dinjitetin.

Dhe çfarë ndodh sot? Sot ne kemi 760 mijë burra dhe gra, njerëz që kanë ndërtuar Vlorën dhe Shqipërinë, dhe që shumica dërrmuese e tyre numërojnë kafshatën. Nuk blejnë dot ilaçet. Nuk ulen dot në një kafene, por gjejnë stolat e ftohtë për të takuar një mik ose një shok.

Sepse jo se Vlora nuk është e pasur, Vlora është shumë e pasur.

Jo sepse Shqipëria nuk është e pasur, Shqipëria është shumë e pas.

Por sepse me paratë e pensioneve të tyre, një grusht qeveritarësh ndërtuan parajsën e tyre. I vodhën ato.

Miq, po vija këtu në Vlorë dhe rikujtova, rruga Levan-Vlorë është rruga më e gjerë në territorin e Shqipërisë, është 35 metra e gjerë.

Kjo rrugë ishte planifikuar të ndërtohej, është 24.5 kilometra, do ndërtohej me 42 milionë euro. Kaq ishte firmosur kontrata. Por meqenëse ishin zonat e habitatit, na dolën shumë punë me shoqatat, të cilat i përgëzoj dhe bashkë me Komisionin Europian u detyruam të ndryshojmë projekt dhe natyrisht koha u zgjat dhe kostoja u rrit.

Po sa u rrit? U rrit nga 1.7 në 2.4 milionë euro. Rruga më e gjerë e Shqipërisë u ndërtua në vitin 2012 me 2.4 milionë euro.

Rruga e Arbrit, e gjerë 10 apo 11 metra është ndërtuar me 11 milionë euro kilometri.

Unaza e Madhe, më e ngushtë se rruga e Vlorës, kushtoi 17 milionë euro kilometri.

Pse u ndala unë në këto hesape? Vetëm për t’u treguar pensionistëve se si u vodhën pensionet e tyre nga këta të pangopur, nga këta të pashpirt, që kur erdhi puna në janar solli buxhetin 8 miliardë dhe kapardisej se ishte buxheti më i madh në histori.

Ne i thamë të votojmë pensionin minimal 200 euro. Jo, tha, kjo na çon në humnerë.

Në çfarë humnere na çon kjo t’u japim atyre burrave dhe grave minimumin e atyre që u takon, të cilët trajtohen në mënyrën më çnjerëzore.

Pra, të votosh anën e drejtë të historisë do të thotë të votosh dinjitetin tënd në radhë të parë.

Dhe unë garantoj shqiptarët se pasuritë e tyre, se fondet e tyre do u kthehen para së gjithash atyre dhe vetëm atyre.


Shtuar 3.05.2025 21:54