Dhjetëra persona janë arrestuar në Turqi për dyshime se kanë bërë thirrje për demonstrata për 1 Majin në sheshin Taksim, në qendër të Stambollit. Pas protestave të Parkut Gezi në vitin 2013, të cilat filluan në Sheshin Taksim, demonstratat antiqeveritare janë të ndaluara në këtë shesh.
Të arrestuarit akuzohen se i përkasin organizatave ekstremiste të krahut të majtë. Sipas raportimeve 76 persona janë arrestuar dhe gjithsej 84 të dyshuar janë në kërkim. Në vitet e mëparshme, autoritetet kanë bërë arrestime të shumta dhe kanë ndodhur përleshje midis policisë dhe protestuesve në lidhje me demonstratat e 1 Majit.
Sheshi Taksim është simbolikisht i rëndësishëm për sindikatat dhe opozitën. Sindikatat donin të përkujtonin 1 Majin e vitit 1977, kur snajperët hapën zjarr ndaj një tubimi masiv prej rreth 500,000 demonstruesish, duke vrarë shumë njerëz.