Policia ka përfunduar operacionin policor të koduar “Suspend 1”, duke goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen. Gjatë operacionit, janë arrestuar dy shtetas: D.N, 21 vjeç dhe A.S, 24 vjeç, të dy banues në Fier.
Seksioni i Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, organizoi operacionin pas hetimeve të kryera me metodat proaktive nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës. Gjatë kontrollit të 21-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se ai do i shiste në Tiranë.
Në përfundim të operacionit, 21-vjeçari u arrestua për trafikim armësh, ndërsa 24-vjeçari u arrestua për moskallëzim krimi, pasi ai shoqëronte 21-vjeçarin gjatë veprimtarisë kriminale. Në kuadër të operacionit u arrestuan Dejvi Naci dhe Albi Spahaj.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar ”Suspend 1”.
Goditet një tjetër rast i trafikimit të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen.
Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, vihet në pranga 21-vjeçari.
Në pranga dhe një 24-vjeçar për moskallëzim krimi, i cili shoqëronte 21-vjeçarin.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend 1”.
Si rezultat e të cilit arrestuan shtetasit D. N., 21 vjeç dhe A. S., 24 vjeç, të dy banues në Fier.
Gjatë kontrollit fizik të 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilën dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.