Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit Ilber Domi,i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’ parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.
Njoftimi i Prokurorisë:
Në kuadër të hetimit pasuror nr.01, të datës 17.01.2024, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka vërtetuar se shtetasi i mësipërm është nën hetim nga autoritetet gjermane për veprën penale “Trafik i lëndëve narkotike”, vepër penale e cila është objekt i ligjit nr.10192.
Nga hetimi pasuror për shtetasin I.D. dhe familjarët e tij për periudhën 2011-2024, rezultoi se vlera e të ardhurave të këtij shtetasi, është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera prej tij.
Duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimeve pasurore të kryera në lidhje me shtetasin I.D. dhe të afërmvetë tij, provohet se ai ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale ‘Trafik i lëndëve narkotike’
dhe nga kjo veprimtari ka krijuar pasuri të cilat nuk justifikohen me nivelin e të ardhurave dhe veprimtaria e ligjshme e këtij shtetasi.
Për këto arsye, në bazë ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive dhe gjykata pranoi sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
Pasuria e paluajtshme nr.116/27, lloji arë me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;
Pasuria apartament, me sip.113.8m2,e ndarë në sip.77.7m2 neto, 11.3m2 sipërfaqe e përbashkët dhe 24.8m2 verandë; dhe
Pasuria njësi, me sipërfaqe bruto 98.8m2, si dhe 2 postet e parkimit me numra P53 dhe P54, të porositura sipas kontratës.