Ndërtuesi kontrovers, Fatmir Bektashi, dy herë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme dhe po dy herë me masë sigurie, ka marrë një tjetër leje të dyshimtë ndërtimi.
Firma “Kontakt”, në pronësi 100 % të Bektashit, po reklamon në internet dhe në faqen e saj zyrtare një projekt gjigant në zonën e mbrojtur të Drilonit në Pogradec.
Pas projekteve në Tiranë, te ish-kompleksi “Partizani” dhe te “Ali Demi”, ku ka ndërtuar dhe po ndërton dhjetëra pallate, radha i ka ardhur Pogradecit.
Por, kush ia dha lejen?
A janë pyetur Zonat e Mbrojtura dhe a ka kaluar projekti në KKT?!
Prej disa javësh, punonjësit e firmës “Kontakt” po reklamojnë në internet njësi banimi dhe shërbimi në Pogradec.
Madje, me çmime shumë të kripura, në rreth 2 mijë euro metri katror.
“Rezervoni apartamentin tuaj! Kontakt sjell te ju projektin më te ri ndodhur pranë Parkut të Drilonit në Pogradec”, thuhet në faqen zyrtare të firmës.
Ndërkohë, bashkëlidhur japin edhe planvendosjen, buzë vendburimit të Drilonit, në një zonë totalisht të mbrojtur.
Zonat e mbrojtura kanë një zonë buferike, e cila varion nga 50 deri në 200 metra ku nuk lejohen ndërtime.
Por, Bektashi ka sfiduar këto, me lëvizjet e tij kontroversale, ai gjithmonë ia ka dalë që t’u mbushë mendjen zyrtarëve sjtetërore për leje.
Ashtu siç ndodhi me territorin e ish-kompleksit “Partizani”, apo edhe me kompleksin “Mangalem” që ndërtoi në zonën e Ali Demit, ku pasi ndërtoi rreth 30 pallate, mori leje edhe për 25 të tjerë!
Por çfarë do të ndërtohet?!
Sipas projektit, do të jenë një kompleks i madh me pallate ngjitur me zonën e mbrojtur.
Do të jenë 3 kulla, ku më e larta pritet të jetë 15 kati mbi tokë.
Do të ketë edhe kulla të tjëra pak më të ulta si dhe njësi banimi dhe shërbimi.
Por, duke qënë se Fatmir Bektashi është dy herë nën hetim, me Berishën dhe Veliajn, kush ia dha lejen e ndërtimit në Drilon?!/ Vox News