Berisha prezanton programin qeverisës të PD për Kulturën: Rama autor i shkatërrimit të teatrit, muzeun e mbyllën për rikonstruksion

Këtë të premte, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në prezantimin e programit të PD për kulturën, ku ka ngritur akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur të papranueshëm keqtrajtimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Berisha ka denoncuar zhvillimet e fundit në fushën e kulturës, duke përmendur përpjekjet për të shkatërruar strukturat kulturore dhe të trashëgimisë.

“Sot libri tatohet në mënyrë të pamëshirshme. Muzeu mbyllet në thonjëza për rikonstruksion, me qëllimin për të vjedhur 10-12 milionë euro dhe për të ndërtuar një kullë në oborrin e tij”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se ky është një akt i papërgjegjshëm që ka si qëllim përfitime financiare dhe dëmton rëndë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Gjithashtu, kreu i PD ka rikujtuar gjithashtu përpjekjet e artistëve për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shembjen e tij si një akt të pashembullt që kishte për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ai ka theksuar se protesta e gjatë qytetare, që ishte një nga më të gjatat në historinë e Shqipërisë, tregoi angazhimin dhe përpjekjen e artistëve dhe qytetarëve për të mbrojtur një vlerë të rëndësishme të kulturës shqiptare.

“Edi Rama është autori i vërtetë i shembjes së teatrit”, ka thënë Berisha, duke i akuzuar autoritetet qeveritare për shkeljen e të drejtave të qytetarëve dhe për të nxjerrë jashtë përdorimi një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të vendit.


Shtuar 21.03.2025 12:10