Gjykata Speciale e Hagës nuk i dha leje Hashim Thaçit/ Ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë, përcillet sot për në banesën e fundit babai i ish-presidentit të Kosovës

Ditën e sotme (18 mars 2025), Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, do të përcillet për në banesën e fundit.

Sipas mediave në Kosovë, Haxhi Thaçi, do të prehet në varrezat e reja të fshatit Burojë, Skenderaj.

Homazhet për të kanë nisur që prej orës 09:00 dhe do të vijojnë deri në 12:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

Të pranishëm janë nëna e ish-presidentit Thaçi, bashkëshortja, djali i tij dhe anëtarë të tjerë të familjes.

Ndërsa cermemonia e varrimit, do të zhvillohet në orën 15:00.

Babai i ish-presidentit, ndërroi jetë më 16 mars pas një sëmundje të rëndë.

Ndërkohë siç u bë më dije edhe një ditë më parë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

Kjo për shkak se Gjykata Speciale e refuzoi kërkesën e këtij të fundit për të qenë i pranishëm.

Ky vendim ngjalli reagime të shumta, mes tyre edhe nga kryeministri Edi Rama ku e cilësoi këtë këtë veprim si një “akt turpi”.

Më 13 mars, Gjykata Speciale në Hagë i dha leje ish-presidentit Thaçi dhe erdhi në Kosovë për të vizituar babanë e tij në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjykata kishte refuzuar disa herë kërkesat e Thaçit për të vizituar babanë në spital. Thaçi u prit me thirrjet “UÇK, UÇK” dhe “O Hashim, o hero, krejt Kosovën këtu e ke”.

Pasi përfundoi vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi u kthye në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.


Shtuar 18.03.2025 11:51