Veliaj kallëzohet në SPAK për aferat në rikonstruksionin e godinave të konvikteve

Aktivisti Aurel Kujtimi me anë të një statusi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ditën e mërkurë është dorëzuar në SPAK një kallëzim kundër kryebashkiakut Veliaj dhe ish-drejtoreshës së Rezidencës Studentore Universitare nr.1 Anila Shehu.

Kallëzimi ka të bëjë me investimet e bëra në godinat e Qytetit Studenti. Më konkretisht rikonstruktimi i godinës nr. 19, e cila u shemb pas tërmetit të vitit 2019. Në vitin 2021 u zhvillua tenderi për rindërtim, ku u shpall dhe kompania fituese, po ende sot e kësaj dite godina nuk është ndërtuar. Madje janë ende gërmadhat e godinës së vjetër.

Statusi i plotë

Përshëndetje të nderuar miq dhe dashamirës!

Ditën e mërkurë depozituam në SPAK kallëzimin penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt dhe ish-drejtoreshës së Rezidencës Studentore Universitare nr.1 Anila Shehu për një nga aferat më skandaloze në Qytetin Studenti.

Siç edhe është bërë njoftimi në datë 3 Mars ku janë njoftuar mediat për të pasqyruar deklaratën tonë si kurrë më parë në gati 3 vite që kallëzojmë zinxhirin drejtues të Bashkisë Tiranë për aferat korruptive në Qytetin Studenti, asnjë portal apo media nuk pasqyroi aksionin tonë ligjor dhe deklaratën që zhvilluam përpara SPAK.

Një media e caktuar regjistroi deklaratën tonë dhe duke pasur komunikimet tona edhe me gazetarët e kësaj media nuk na kanë dhënë asnjë arsye se përse ende dhe pas dy ditësh nuk është publikuar deklarata jonë përpara SPAK për të shpjeguar detaje rreth kësaj afere në Qytetin Studenti.

Inkurajoj që SPAK të kryejë detyrën duke zbatuar ligjin për të hetuar për këtë çështje duke nxjerrë përpara përgjegjësisë shkelësit dhe çdo palë të përfshirë në këtë aferë dhe skandal korruptiv në Qytetin Studenti.

Sapo të na vijë dokumenti i Postës ku vërteton që pranë SPAK ka mbërritur kallëzimi i depozituar përpara dy ditësh do të kemi një komunikim me të gjithë në rrjetet sociale. / CNA.al


Shtuar 8.03.2025 12:02