Identifikohet trupi i gjetur në Rrugën e Kombit, policia jep detajet

Mëngjesin e sotëm, është gjetur një trup i pajetë nga punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve në kryqëzimin e rrugës, ku ndahen aksi i Rrugës së Kombit me segmentin drejt Lezhës.

Policia ka dhënë detaje në lidhje me trupin e pajetë, e gjetur në trafikndarësen e autostradës “Milot-Thumanë”.

Uniformat Blu, njoftojnë se nga verifikimet rezulton se trupi, mund t’i përkasë një 49-vjeçari.

Ndërkohë nga niveli i dekompozimit të trupit, dyshohet se 49-vjeçari mund të ketë ndërruar jetë disa muaj më parë nga një aksident.

Kurbin/Informacion paraprak

Rreth orës 08:50, është gjetur në trafikndarësen e autostradës “Milot-Thumanë”, në fshatin Shullaz, një trup njeriu, i dekompozuar. Nga verifikimet paraprake dyshohet se trupi i përket shtetasit E. N., 49 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, nga veprimet paraprake dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën para disa muajsh, si pasojë e një aksidenti rrugor.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e shkakut të vdekjes së këtij shtetasi.


Shtuar 6.03.2025 10:33