I ftuari i radhës në emisionin “A je bre normal?” nga Meriton Mjekiqi, ka qenë G-Bani. Kjo intervistë është zhvilluar pak pasi ai doli nga shtëpia e “Big Brother VIP 4”, teksa kujtojmë që të martën ai rihyri sërish në lojë nga votat e publikut pas një televotimi. G-Bani na rrëfeu shumë të pathëna nga karriera e tij, eksperienca brenda në shtëpi, marrëdhënien me banorët e tjerë, por dhe shumë detaje të tjera personale…
Kemi parë që kur ishe brenda shtëpisë ke shkruar tekste këngësh. A do të dalin ato?
Nuk do të dalin, sepse i kam shkruar për dikë aty. Më ka frymëzuar bukuria shpirtërore. Nuk mundem të tregoj, kam shkruar për një nga vajzat aty. Kam shkruar poezi aty, por që kur kam dalë i kam harruar dhe mund të them që i kam djegur që të mos i bëj. Më kanë djegur, më kanë bërë shkrumb e hi… (qesh)
Të pëlqejnë më shumë vajzat e Shqipërisë apo të Kosovës?
Kanë një bukuri vajzat e Shqipërisë, kur flasin atë gjuhën letrare, kanë shumë feminilitet. Por kur dëgjon vajzat e Kosovës që flasin shqipen, më duken më ‘nice’. Të dyja kanë bukurinë e vet, por vajzat e Kosovës më pëlqejnë pak më shumë. Por nuk më marrin për burrë mua vajzat e Kosovës sepse jam katolik. Më ka ndodhur dy herë, dhe e ka pasur problem familja e tyre.
Një herë kam qenë në dashuri, një herë kemi pasur një lidhje serioze, dhe të dyja herët ka ekzistuar ky problemi. Kam dashur të këmbëngul por nuk kam mundur, sepse vajza duhet të bëjë të lumtur bashkëshortin dhe veten e saj, por dhe familjen.
A do që të krijosh një familje e të martohesh?
Po, shumë dua. Dua të krijoj familje me një vajzë, ta dua shumë, të më dojë, të bëjmë 2-3-4 beba. Besoj se krijimi i familjes është cikli i jetës, është kuptimi i jetës për çdo njeri. Unë besoj shumë tek familja, besoj se familja është gjëja më e shenjtë.