Edi Rama: Drejtësia nuk mund të survejojë partitë politike gjatë procesit zgjedhor është lajthitje, të ndalet menjëherë

Këtë të enjte, gjatë fjalës së tij në rubrikën “Sy më sy”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka shprehur kundërshtinë e tij lidhur me iniciativën e SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për ngritjen e strukturave që synojnë monitorimin e krimeve zgjedhore.

Gjithashtu, kreu i qeverisë deklaroi se është kategorikisht kundër çdo forme survejimi të partive politike, gjatë procesit zgjedhor dhe kërkoi që çdo lloj survejimi në terren i partive politike të ndalet menjëherë.

“Drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe institucionale, duke respektuar të drejtat e njeriut. Profesionalizmin në drejtësi duhet ta konsolidojmë të gjithë së bashku. Nuk mund të justifikohen qasje dhe metoda të sigurimit të shtetit nga drejtësia. Pushtetet janë të ndara dhe nuk mund të cenohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv. Nuk mund të survejohen partitë politike në proces elektoral. Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe që menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në terren”, deklaroi Rama.

Më tej, ai e cilësoi një praktikë të papranueshme monitorimin e partive politike, duke e krahasuar atë me kohë të errëta të së kaluarës.

“Nuk mundet kurrë që të kthehemi pas në kohëra kaq të errëta, ku ata që merren me politikë survejohen. Përpjekja për të luftuar krimet elektorale duhet të bëhet duke respektuar rolin kushtetues të secilit institucion. Çdo dalje nga këto pozicione përbën një ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre”, theksoi ai.

Megjithatë, Rama shtoi se mbështet institucionet e drejtësisë, në përmbushjen e detyrës së tyre kushtetuese.


Shtuar 20.02.2025 09:39