Vota e diasporës/ 36% e kërkesave të emigrantëve janë refuzuar, kryesojnë zgjedhësit nga Italia

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj 2025, do të votojnë edhe emigrantët. Regjistrimet e tyre kanë nisur më 11 janar të këtij viti dhe përfundojnë më 4 mars.

Regjistrimi i votuesve nga jashtë, po kryhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit që administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri më 4 Shkurt 2025, rezultojnë se janë plotësuar në total 141,435 kërkesa për regjistrime në zgjedhje.

Nga totali i kërkesave të plotësuara 69% e tyre janë miratuar. Numri i kërkesave të miratuara arrin në 87,596.

Kërkesat e miratuara kryesohen nga emigrantët e Italisë me 33% të totalit të kërkesave të miratuara. E ndjekur nga emigrantët që jetojnë në shtetin e Greqisë me 25% të kërkesave për miratim, Gjermania 13%, SHBA 10%, Anglia 8% etj.

Ndërsa rreth 36% e kërkesave janë refuzuar, ku sipas KQZ, këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë.

46% e kërkesave të refuzuara janë nga zgjedhësit emigrantë që jetojnë në Itali. 27% e tyre janë në Greqi si kërkesa të refuzuara, rreth 12% në Gjermani, SHBA janë 3,5% dhe 3,2% në Angli.


Totali i kërkesave sipas shteteve, grupmoshës dhe qarqeve

Nga totali i kërkesave të regjistruara (përfshirë edhe ato të refuzuara) sipas të dhënave në KQZ rezulton se numri më i madh i emigrantëve që kërkojnë të marrin pjesë në votime është përqendruar në Itali. Në këtë shtet janë regjistruar 53,419 kërkesa apo 38% e totalit. E ndjekur nga Greqia me 27% e tyre, Gjermania (12%), SHBA (7%), Angli (6%) etj.

28% e totalit të kërkesave dominohen nga zgjedhës së grupmoshës nga 26 deri 35 vjeç. Grupmosha nga 36 deri 45 vjeç përbën 27% të tyre, grupmosha 46 deri 55% zë 19% të totalit të kërkesave. Mbi 56 vjeç zë 16% dhe grupmosha nga 18 deri 25 vjeç zë 10%.

Shpërndarja e totalit të kërkesave për regjistrim është në qarkun e Tiranës 19%, e ndjekur nga qarku i Fierit 14%, Korça 11%, Durrësi 8%, Elbasani 8%, Vlora 6%, Berati 6%, Shkodra 4% etj./Monitor/


Shtuar 5.02.2025 09:03