Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në Durrës, ku dhjetëra banesa janë nën pushtetin e ujit.
Raportohet se aktualisht, prania e ujit është në shumë banesa në zonën e Durresit te Ri, Shkozet, Nishtulla dhe kryqëzimi pranë IEVP.
Uji ka hyrë në rreth 300 banesa, nga të cilat 200 shtëpi janë ne zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonen e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtepi në Rrashbull.
Ndërkohë, banorët shprehen se uji u ka hyrë nëpër banesa dhe dëmet janë të shumta.
“Më është mbushur shtëpia me ujë, më është prishur çdo gjë. Kërkojmë të na largohet uji”, tha një kryefamiljare.
Banorët shprehen se mungesa e kanalizimeve, është për shkak për përmbytjet duke kërkuar që shteti të ndërhyjë.
“Jemi përmbytur edhe herë të tjera, por jo në këtë masë që jemi përmbytur këtë herë. Problemi është kanali kryesor që del nga shtrati dhe na përmbyt, nuk janë reshjet e shiut. Na ka hyrë uji brenda, kemi ngelur gjithë natën nëpër dritare. Shteti duhet të ndërhyjë për kanalin, Bashkia Durrës ta vendosë në projekt kanalin, është hera e tretë që na përmbyt”, tha një banor.
“Edhe brenda në shtëpi rrimë me çizme, ka dëmtuar çdo gjë që ka kapur uji. Jemi përmbytur se uji në kanal ka dalë sipër rrugës. Kanalet kulluese i mbyllën kur u bë rruga, kërkuam që të futej një tubacion, por nuk pranuan. Kanali i madh nuk e përballon, kanalet kulluese e dërgonin ujin tek një kanal tjetër”, shtoi një tjetër.