U dënua me 1 vit burg, Memolla: Do ta apeloj vendimin, falenderoj ata që nuk më kthyen shpinën

Edison Memolla, tashmë kryebashkiaku i dënuar i Rrogozhinës me 1 vit burg nga GJKKO për blerje votash, ka reaguar lidhur me dënimin e tij.

Ai shkruan se d ta apelojë vendimin e drejtësisë dhe se është kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell.

Memolla: Që kur mu besua detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë në dijeni për peshën që do sillte në çdo dimension të sajin. Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe si rrjedhojë jam i hapur të pranoj çfarëdolloj vendimi të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim i cili nuk është i mbështetur aspak në prova dhe fakte.

Theksoj se deri në një vendim të formës së prerë e më tej, unë jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell. Së fundmi, ju falenderoj nga zemra të gjithë ju që keni qenë pranë meje duke më njohur, mbështetur si njeri, duke besuar të vërtetën time të pafajshme dhe s’më keni kthyer shpinën edhe kur situata duket e vështirë.


Shtuar 26.01.2025 13:03