Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka shprehur shqetësim lidhur me raportimet e përsëritura për dhunë ndaj gazetarëve dhe pengesa ndaj tyre gjatë mbulimit të protestave antiqeveritare në Shqipëri.
Organizata rikujton se liria e medias dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar janë kushte të rëndësishme për funksionimin e një shoqërie demokratike. Gazetarëve duhet t’u garantohet siguria, në mënyrë që të raportojnë lirshëm gjatë tubimeve publike dhe të mos përballen me ndërhyrje të pajustifikuara.
Të lidhura
None found
Parime të tilla sanksionohen edhe në Vendimin nr. 3/18 të Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve. Dokumenti riafirmon zotimin e vendeve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe për të garantuar llogaridhënie kur ata sulmohen.
OSBE u kërkon autoriteteve shqiptare të hetojnë pa vonesë dhe në mënyrë efektive çdo incident të raportuar, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.
Për të shmangur raste të tjera, organizata nxit autoritetet ligjzbatuese të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve. Policia duhet të mundësojë raportim të sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike.
Gazetarët kanë raportuar dhe vijojnë të ndjekin në kohë reale protestat që kërkojnë largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Gjatë tyre janë regjistruar disa incidente serioze, mes të cilave edhe raste të raportuara të dhunës ndaj reporterëve.







