Aarhus dhe Egnatia do të përballen nesër në mbrëmje, në orën 21:00, në një ndeshje të vlefshme për fazën e grupeve të Conference League. Në prag të këtij takimi, trajneri i skuadrës rrogozhinase, Nevil Dede, foli për përgatitjet dhe pritshmëritë e ekipit.
Si paraqitet skuadra në prag të sfidës?
Të lidhura
None found
Udhëtimi shkoi mirë, si për sa i përket orarit, ashtu edhe kohëzgjatjes. Organizimi nga ana e klubit ishte perfekt dhe gjithçka ka shkuar sipas planit. Tashmë na mbetet vetëm stërvitja e fundit përpara ndeshjes.
A ndikon kalendari i ngjeshur në përgatitjet tuaja?
Për të arritur deri në këtë nivel, kemi luftuar, sakrifikuar dhe kemi zhvilluar paraqitje të mira. Ngarkesa apo dendësia e ndeshjeve nuk na shqetëson. Mendoj se lojtarët janë të gatshëm për këtë sfidë.
Ekipi është i plotë, me përjashtim të Bakayoko-s, i cili mungon prej një kohe të gjatë. Fernando ishte 100% në ndeshjen me Vllazninë dhe shpresoj që të jetë sërish në gjendje të na ndihmojë edhe nesër.
Çfarë prisni nga ndeshja në transfertë?
Kemi udhëtuar me synimin për të zhvilluar futbollin tonë. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë do të marrim edhe rezultatin që meritojmë. Jam i bindur se djemtë do të na bëjnë sërish krenarë.
Nëse edhe sfidën e nesërme e përfundojmë me sukses, kjo do të tregonte se futbolli shqiptar ka bërë hapa shumë të mëdhenj përpara ndaj dy kundërshtarëve danezë. Uroj që të gjithë shqiptarët të krenohen me ne, pasi Egnatia për herë të parë ka arritur të luajë në grupet e Europës, në Conference League.
Kemi siguruar pikën e parë dhe shpresoj që nesër të bëjmë edhe më mirë se deri tani. Në fund, synimi ynë është të arrijmë objektivin që i kemi vendosur vetes.
Pa marrë parasysh emrat e kundërshtarëve, Egnatia është një klub që meriton shumë respekt. Këtë e ka fituar përmes cilësisë së futbollistëve, organizimit të klubit dhe çdo elementi tjetër.



