Berisha: Krimi ka kapur kryeministrin, kjo diktaturë sot është 2-3 herë me e centralizuar se diktatura e Enver Hoxhës

Në eventin e organizuar nga departamenti “Brain Gain” i Partisë Demokratike, lideri Sali Berisha vlerësoi kontributin e anëtarëve të këtij departamenti për pasurimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike në një kohë sfidash.

Berisha theksoi se puna e tyre ka sjellë një dimension të ri dhe të vërtetë për partinë, duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë demokratike. Ai kujtoi arritjet e Partisë Demokratike nga viti 1992 deri në vitin 2013, duke theksuar transformimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.

Gjithashtu, ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e lidhur atë me korrupsionin dhe centralizimin e pushtetit. Përmes fjalimit të tij, Berisha theksoi rëndësinë e luftës për liri, demokraci dhe drejtësi në vend.

Berisha: Një përshëndetje të përzemërt, ju anëtarëve të departamentit Brain Gain dhe Ekselencave, për punën e çmuar, risitë shumë të rëndësishme dhe kontributet që ju dhatë me veprimtarinë tuaj, dhe jepni në PD.
Ju ja dolët ti jepni kësaj partie në kohë të vështira një dimension që ajo nuk e ka patur ndonjëherë. Një dimension të ri, modern, të bukur, të vërtetë dhe kjo pa diskutim ka pasuruar PD-në shumë, ka ndikuar në tërësi, në jetën e saj.
Ky është publikimi i dytë i juaji, pas publikimit ‘Punët e Mira të PD-së’, të cilat e vërteta është se janë ndërtesa dhe themelet e Shqipërisë demokratike, e Shqipërisë së integruar në NATO, në Këshillin e Europës dhe e Shqipërisë së një rendi të ri kushtetues.

Po ti rikthehemi shprehjes së Dante Aligerit, që thotë se ‘nuk ka dhimbje më të madhe, kur kujton kohërat e lumtura në mjerim’, publikimi juaj nuk ishte se të krijonte dhimbje, por shërbeu dhe ishte i domosdoshëm tu rikujtonte demokratëve trashëgimin e tyre. Është shumë interesante.  Kur kjo parti u themelu, u themelua nga njerëz 99.9 përqind e tyre nuk kishin asnjë lidhje me shtetndërtimin apo me institucionet. Në tërësi ishin intelektual të fushave teknike ose humanitare, por që vendosën idealet e tyre të lirisë. Njerëzit duhet të jenë të lirë, të flasin lirisht, të votojnë të lirë.

Këta njerëz arritën të ndërtojnë, të shndërrojnë në realitet idealet e tyre me vështirësi, por një gjë kurrë nuk duhet harruar, se Shqipëria nga viti 1992-2013 është, në dijeninë time, është vendi i vetëm që është rritur 21 herë. Në vitin 1992 rrogat ishin 5-6 dollarë, rroga ime si president ishte 16 dollarë. Dhe kur e thashë një ditë më kishte shkruar dikush në Facebook se po tregon ëndërra. Ai kishte të drejtë se nuk mund ta besonte, por e vërteta ishte se kjo ishte Shqipëria. Partia tjetër kishte një trashëgimi shumë të rëndë, kishte trashëgimi krimin politik, kasaphana e luftës së klasave, tradhëtinë e çështjes kombëtare pasi ishte themeluar nga Beogradi në vitin 1941. Nuk duhet të harrojë kush se në atë kohë, Partia e Punës së Shqipërisë, qe e dyta parti në vendet ish-komuniste e cila nuk u shkri, por ndryshoi emrin në Parti Socialiste. Nuk them me këtë se nuk bëri evolucion, se u anëtarësua në Internacionalen Socialiste, por trashëgimnia e saj e ndoqi këtë parti dhe nuk ju nda. Nuk ju nda në aspektin më tragjik të saj, në lidhjen me krimin.

Nëqoftëse komunizmi, apo partitë komuniste, krimin, dhunën e cilësonin, e ekzaltonin me superlativa, e quanin një domosdoshmëri absolute, teoria e krimit të dobishëm nuk u nda asnjëherë, për asnjë moment nga PS. Të kthehemi më konkret. Në diktaturë ishin ministrat, sekretarët e parë, anëtarët e byrosë. Por kishte gjithnjë një grup njerëzish në gjysëm hije të cilët ishin njerëzit më të rëndësishëm, më të çmuar të tyre.  Cilët ishin do thoni ju? Ata që torturonin njerëzit në qeli, dhe që i detyronin të firmosnin ato që donin. Ata ishin padiskutim njerëzit e ‘karta bianka’, sepse aq jetik ishte krimi për ta. Dhe ishin të vetëdijshëm. E ka shkruar mirë Bashkim Shehu; na thoshte nëna, kthehuni shpejt, se kemi armiq. Është identike sot metamorfoza e partisë së krimit përsëri, tani jo mbi baza ideologjike, por mbi baza mafioze të pakufishme. 
Sot krimi në këtë parti e merr një anonim dhe e çon në pozicionin e dytë në Durrës, pas Edi Ramës deputet.

Sot krimi e merr ministrin për zverku, i thotë shko e më arresto kundërshtarët e mi në mënyrë që të jap votat. Sot krimi ka pushtuar zyrën më nevralgjike të të gjithë urbanistikës së vendet, lejeve të ndërtimit dhe resorteve turistike. E kontrollon në mënyrë dragoniane, vetë kryeministrin, që ndan, është i vetmi në botë që firmos çdo leje ndërtimi në vendin e tij. Sot kjo diktaturë nuk ka aspekte kruele të luftës së klasave sepse është një kohë tjetër, por ju do të çuditeni, por në rrafshin e centralizimit dhe decentralizimit ju garantoj se pothuajse në çdo fushë kjo diktaturë sot është 2 herë, 3 herë me e centralizuar se diktatura më Staliniste që ishte diktatura e Enver Hoxhës.


Shtuar 24.01.2025 18:40

Tags: ,